Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, duke folur rreth dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se nuk është në dijeni se a ka dhënë ose jo dorëheqje.
Abrashi është shprehur se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë.
Gjithashtu, ai ka thënë se duhet ta presin njoftimin zyrtar të qeverisë për ta kuptuar se a është i vërtetë raportimi për dorëheqjen e Latifit.
“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar për këtë punë, e pamë në portale se gjoja ka dhënë dorëheqje. Rrugës duke ardhur filluan nominime nga portalet dhe mediat se kush duhet të jetë ministër, dhe deri tash sa po flasim ndoshta e kanë zgjedhur ministrin”, ka thënë ai në Debat Plus.
Abarashi thotë së “është idhtar” i qëndrimeve zyrtare.
“Jam ithtar i asaj që duhet ta presim një qëndrim zyrtar të qeverisë sa i përket kësaj çështjeje. Duhet të na bëhen zyrtarisht arsyet e dorëheqjes. Kishte filluar një anarki të informacioneve të pakonfirmuara”, ka vijuar Abrashi.
Deputeti Abrashi e ka komentuar edhe reagimin e kolegut të tij, deputetit Burim Meta, i cili pas dorëheqjes së Latifit, ka thënë se ky post duhet t’i takojë Partisë Guxo.
Abrashi ka thënë se emri i personave nuk është i rëndësishëm, por përmbushja e premtimeve.
“Rrespekt për kolegun tonë, për lëvizjen nuk është i rëndësishëm emri apo mbiemri, apo nomnimimi i ndonjë personi nga ndonjë subjekt i caktuar. Por të përmbushen premtimet tona për sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Abrashi.