Knut Abraham, deputeti i Bundestagut gjerman, është shprehur goxha kritik ndaj procesit të dialogut që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë për më shumë se 11-vjet.
Abraham ka propozuar që të ndërpritet procesi aktual i dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe në vend të tij, Unioni të fillojë dy procese bisedimesh – një me Kosovën dhe një tjetër me Serbinë – ndaras nga njëri-tjetri.
“Ky dialog i ri duhet të përfshijë rrugën e integrimit të secilit vend në BE. Procesi duhet të bazohet në merita dhe qëllimi përfundimtar duhet të arrihet brenda disa viteve të ardhshme”, tha Abraham.
Në këtë intervistë, ai foli edhe për Asociacionin, për të cilin deklaroi se zyrtarët shtetërorë nuk mund ta kryejnë këtë punë. Sipas tij, Asociacioni “duhet të themelohet nga komuniteti serb në Kosovë”.
Ndër të tjera, deputeti gjerman ka dënuar sulmin në kanalin kryesor të ujit në “Ibër-Lepenc”, duke e drejtuar gishtin kah Serbia dhe Rusia, si fajtore potenciale.
“Për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Rusisë dhe Serbisë dhe vizitës së rregullt të zëvendëskryeministrit serb Alleksandar Vullin në Moskë, nuk mund të përjashtohet as përfshirja ruse” në këtë rast, u shpreh ai.
Rrugëtimi i Kosovës për në mekanizmat ndërkombëtarë, nuk duhet të ndalet, sipas tij. Hapi i menjëhershëm i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës./klankosova