Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se sot është takuar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, me të cilën ai tha se ndër të tjera kanë diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Abdixhiku gjithashtu bëri të ditur se ka theksuar përkushtimin e LDK-së për ecje euroatlantike me aleatët.
Ai tregoi se gjatë këtyre ditëve ka takuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, atë të Francës, Olivier Guerot, si dhe ka pasur një drekë pune me ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph.
“Gjatë këtyre takimeve diskutuam për sfidat me të cilat po përballet Kosova, zhvillimet aktuale politike dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre. Rëndësi të veçantë gjatë bisedave tona iu kushtua Zgjedhjeve Nacionale të 28 dhjetorit si dhe vizionin politik tonin pas zgjedhjeve”.
“Theksova përkushtimin e LDK-së për të garantuar stabilitet institucional dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik të vendit; dhe mbi të gjitha ritheksova përkushtimin e LDK-së për ecje euroatlantike me aleat. Po ashtu vura në pah se lista e LDK-së përfaqëson profesionistë të dëshmuar, njerëz të përkushtuar e punëtorë të palodhur, të cilët mbi gjithçka e duan Kosovën dhe punojnë me zemër për të”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së bëri të ditur gjithashtu se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca i kanë dhënë Kosovës në çdo etapë shtetformuese
“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca i kanë dhënë Kosovës në çdo etapë shtetformuese. Nënvizova se partneriteti ynë i qëndrueshëm me këto vende mike mbetet themelor për të ardhmen demokratike dhe orientimin euroatlantik të Republikës sonë. LDK mbetet garancë thelbësore e një rrugëtimintë tillë”, ka shkruar Abdixhiku.






