Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku iu është drejtuar me mirënjohje të gjithë kandidatëve për kryetar të komunave të partisë së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku iu bëri thirrje kandidatëve që u zgjodhën kryetarë, të sillen si të tillë, derisa tha se LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar dhe më e lidhur me njerëzit se kurrë më parë, dhe sipas tij, kjo është dëshmia e këtyre kandidatëve, transmeton Klankosova.tv.
Mes tjerash, ai shtoi se LDK ka sot mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, e që sipas tij, LDK pa diskutim del partia e parë nga këto zgjedhje lokale.
Postimi i plotë i të parti të Lidhjes Demokratike të Kosovës:
Të dashur kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Sot dua t’ju drejtohem me mirënjohjen më të thellë për punën, përkushtimin dhe dinjitetin që keni treguar në këtë fushatë. Secili prej jush ka qenë zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës. Keni qëndruar me dinjitet, me argument, me kulturë e me dashuri për vendin; siç i ka hije shtëpisë së demokracisë.
Sot, disa e festojnë fitoren. Imriu, Iliri e Ruzhdiu festojnë me raund të parë. Festojmë për ta të gjithë. E merituat me punë, me durim e me besim. Urime për çdo sukses që e keni ndarë me qytetarët tuaj, për çdo fitore që është fitore e përbashkët e LDK-së dhe e gjithë Kosovës.
Deri më sot keni qenë kandidat vetëm të LDK-së, nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve pa dallim. Silluni si të tillë.
Disa të tjerë, 9 sosh, i kemi në garë për një raund të ri. Le te fitojmë! Te tjerët ndërsa, që nuk e morën rezultatin që e merituan; kokën lartë. Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, është themel për fitoret e ardhshme, është dëshmi se LDK ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë. Politika është garë e gjatë, maratonë. Dhe ne, si LDK, kemi dëshmuar se dimë të fitojmë, por edhe dimë të qëndrojmë me dinjitet kur na mungon një hap deri te fitorja.
Kokën lart të gjithë. Sepse LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar dhe më e lidhur me njerëzit se kurrë më parë. Ju jeni dëshmia e kësaj.
LDK ka sot mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, dhe pa diskutim del partia e parë nga këto zgjedhje lokale.
Rrugëtimi ynë vazhdon. Me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën besë dhe me të njëjtin qëllim. Ju faleminderit nga zemra për fushatën, për punën, për besimin.
Lumiri