Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me deputetë, e anëtarë të partisë kanë bërë homazhe në kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Abdixhiku nga aty tha se përpjekja për shuarjen e trungut familjar të Jasharëve ishte përpjekje për shuarjen e popullit të Kosovës.
“Sot nderojmë dhe lartësojmë aktin sublim, të jashtëzakonshëm të familjes Jashari, të sakrificës së tyre për lirinë e Republikës së Kosovës. Sakrifica e Jasharëve 28 vite më parë, e familjes, e Ademit dhe 56 anëtarëve të tjerë, është rilindje e ndërgjegjes sonë kombëtare. Përpjekja për shuarjen e trungut familjar të Jasharëve ishte përpjekje për shuarjen e popullit të Kosovës, qëndresa në epopenë e madhe të UÇK-së ishte qëndresë e vetë popullit të Kosovës. Sot kujtojmë dhe nderojmë këtë sakrificë të jashtëzakonshme dhe mbi këtë sakrificë rikujtojmë veten vazhdimisht se sa e shtrenjtë dhe, mbi të gjitha, sa e shenjtë është liria që gëzojnë këta fëmijë sot këtu që i pamë në këtë tempull të lirisë të popullit shqiptar”, tha ai.






