5.6 C
New York
Sunday, November 23, 2025

Buy now

Abdixhiku përkujton 25-vjetorin e vrasjes së veprimtarit Xhemail Mustafa

- Advertisement -

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin e shquar, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tij për lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Abdixhiku e ka përshkruar Mustafën si një intelektual, publicist dhe veprimtar të palodhur, që qëndroi pranë Presidentit historik Ibrahim Rugova në vitet më të vështira të shtetformimit.

“Nëntori i festave tona kombëtare mbetet muaj i dhembjes për familjen Mustafa, për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për mbarë vendin. Pikërisht më 23 nëntor 2000, u nda padrejtësisht nga jeta Xhemail Mustafa, intelektuali, veprimtari dhe demokrati i madh, i cili u godit tinëzisht para banesës e familjes. Vrasja e tij shtoi një hallkë të re në zinxhirin e atentateve mizore ndaj intelektualëve shqiptarë. Xhema ishte fjalëpaku, punëtori i palodhur, njeriu i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Si ideator, themelues dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai qëndroi përkrah Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet më të vështira të shtetformimit. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë një rrugëtim të mbushur me mund, sakrificë e përkushtim të pakompromis”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar rolin e Mustafës edhe si gazetar, publicist dhe shkrimtar, duke përmendur veprën e tij “Një lutje për Prishtinën” si pasqyrë të realitetit të Kosovës së vitit 1999.

“Si gazetar, publicist e shkrimtar, arma e tij më e fortë ishte pena e cila mbeti besnike ndaj tij edhe pas vdekjes. Përmes librave e shkrimeve të shumta, ai na kthen në vitet më të errëta të ekzistencës sonë kombëtare. Vepra “Një lutje për Prishtinën” është pasqyrë e gjallë e realitetit të Kosovës së vitit 1999.
Xhemail Mustafa ishte zëri kumbues i së vërtetës për luftën në Kosovë, një zë që jehonte deri në qendrat më të mëdha ndërkombëtare. Edhe pse fizikisht u shua, ideali i tij, kontributi atdhetar, mendimi i tij publicistik e krijimtaria poetike mbeten përjetësisht gurëthemel i Republikës sonë”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka nënvizuar nevojën për zbardhjen e krimit ndaj Mustafës, duke e quajtur këtë detyrim ndaj Kosovës dhe kujtimit të tij.

“Nëntori i festave u bë i pamëshirshëm për ne me humbjen e ikonës së LDK-së. Dhimbja rritet çdo ditë që zbardhja e këtij krimi mungon. Ata që s’e deshën lirinë e Kosovës, nuk e deshën as Xhemën. Detyrim i yni është gjetja e autorëve të këtij krimi, për Xhemën dhe për Kosovën”, ka përfunduar Abdixhiku.

Të ngjashme

Të fundit