Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku shkroi se si 25 vjet më parë “lufta na e mori strategun më të mirë të kohës”, duke përkujtuar heroin Agim Ramadani.
Abdixhiku shkroi se si Katana u kthye në motiv për të vazhduar luftën deri në çlirim.
“Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme, janë disa ditë që aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Ditë të tilla janë këto të prillit, kur në majet e larta nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Në agimin e 11 prillit, në vend se t’i gëzoheshim rrugëtimit drejt çlirimit të Kosovës, lufta na e mori strategun më të mirë të kohës, luftëtarin e Heroin e Kosovës, Agim Ramadani, atje skaj bjeshkëve të ashpra ku edhe pushon përjetësisht trupi i tij. Kumti i trishtueshëm që në vijat e para të frontit në Koshare, ra Agim Ramadani; nuk i ligështoi shokët e luftës. Ata tashmë kishin motivin për të vazhduar deri në çlirim. Kosova e pavarur, ishte ëndrra e të 114 dëshmorëve të Brigadës 138 të udhëhequr nga Agim Ramadani që tashmë po shkruanin me sakrificën e tyre njërën prej rrëfimeve më të madhërishme të luftës për liri e pavarësi”, shtoi ai.
Abdixhiku tha se sot kujtojmë piktorin dhe shkrimtarin Agim Ramadani, i cili “përmes vargjeve i dha jetë, luftës e lirisë”.