Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në rrethanat aktuale, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy partive janë thelluar në mënyrë të pakthyeshme.
Ai tha se dikur flitej për “vija të kuqe”, por tani “ky hendek po bëhet hendek i kuq”, duke aluduar në përçarjen e thellë politike dhe mungesën e vullnetit për dialog nga partia në pushtet.
Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij ka bërë hapa konkretë për të zhbllokuar situatën politike në vend, por sipas tij, partia në pushtet po vazhdon ta mbajë vendin në krizë përmes bllokadave dhe refuzimit të bashkëpunimit.
“LDK tashmë ka lëvizur nga pozicioni vet me tendencë për zhbllokim të situatës. Fatkeqësisht ne jemi vend kolektiv i një njeriu të vetëm, i cili nuk e kupton as demokracinë, as pragmatizmin, as nevojën që duhet bërë shumicë. Për këtë çështje LDK nuk mund të bëjë më shumë se kaq. Sepse fatkeqësisht partia e parë i ka të gjitha mekanizmat për ta mbajtur këtë kapje të paligjshme dhe jo logjike, të dëmshme për Kosovën,” tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Ai bëri të ditur se LDK tashmë ka dorëzuar një lëndë të re në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën pret që të hapë rrugën për interpretim të ri pas 30 ditësh, për shkak se, siç tha ai, është përmbysur rendi kushtetues nga partia e parë.
“Ne kemi dërguar një lëndë të re në Gjykatën Kushtetuese, sepse ne tani konsiderojmë që ka një akt të përmbysjes së rendit kushtetues nga partia e parë, sepse ka konsensus të gjerë shoqëror, edhe të partive edhe të presidentes, se mënyra e votimit nuk mund të ndërrohet në mënyrë arbitrare. Ka tendencë të partisë së parë të vazhdojë tutje me bllokada. Po i afrohemi fundit të afateve kushtetuese dhe më pas me siguri nuk ka arsye të mblidhemi në Kuvend, por ka arsye për një interpretim të ri pas 30 ditësh të Gjykatës Kushtetuese me shpresë që presidentja të dërgojë pyetjen atje,” shtoi ai.
Kreu i LDK-së nuk përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të reja në rast se nuk gjendet zgjidhje politike.
“Është mirë që të ketë zgjidhje politike. Në qoftë se nuk ka vullnet për zgjidhje politike, në mënyrë të pashmangshme po shkojmë në zgjedhje të reja. Unitetin e refuzuan, vazhdojnë me ofendime mëngjes e mbrëmje që na japin arsye se pse bashkëpunimi me ta është i pamundur. Shikoni betejën që e bëjnë ndaj LDK-së në Komunën e Prishtinës. Vazhdojnë me bllokim të buxhetit të Prishtinës”, tha ai.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Vetëvendosjen është i pamundur pa reformë të brendshme nga kjo parti.
“Unë kam besuar shumë që në këtë proces të refuzimit tonë të bashkëpunimit me ta do të ndodhte një reformë e VV-së. Dua ta them të qartë se pa një reformim të VV-së, bashkëpunimi është i pamundur. Një herë patëm thënë që ka vija të kuqe, Kujtim Shala pat thënë se ka hendek, unë po ju them që ky hendek po bëhet hendek i kuq, për këtë fazë edhe për fazat e ardhshme. Presionin destruktiv ndaj LDK-së, komunave tona dhe vetë demokracisë së Kosovës as nuk e harrojmë, as nuk e falim,” përfundoi Abdixhiku.