Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për takimin e mëngjesit që ka pasur me të paren e shtetit, Vjosa Osmani.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se në takim ishte i pranishëm edhe shefi i AKI-së, teksa nga ta është infirmuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
Ai tha se ka shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë të angazhuarit në shërbim si dhe përkrahjen dhe nevojën e unitetit në një kohë sfidash të cilat vijnë nga Serbia.
“Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë”, shkroi Abdixhiku.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.
Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë.