Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga tubimi i mbajtur në qytetin e Malishevës, foli për zotimet e programit të tij politik ‘’Rruga e Re’’. Ai po ashtu ka thënë se do të investojnë 5 miliard euro në sektorë të rëndësishëm të vendit.
Abdixhiku premtoi rritje për kategorinë e pensionistëve, për 36.2% dhe barna falas për ta.
‘’Është koha të zgjedhni edhe për ata pensionistë që pas një jete të tërë pune, duhet të mendojnë dy herë se a kanë mjaftueshëm për barnat që ju duhen sot, për gjyshërit e gjyshet tona, që të lënë në lëmoshë qeveritare, nisin të ndjejnë veten si tepricë të kësaj shoqërie, atyre që vetes kanë lënë projektin më të madh për ne, lirinë, shtetësinë, pavarësinë, ju themi se shteti i tyre do të kujdeset për ta, si pjesë fisnike e një shoqërie fisnike’’, tha Abdixhiku.
Ndërsa në shkrimin e tij në Facebook. Abdixhiku ka thënë se pati pjesëmarrje masive në Malishevë ku u bë edhe manifestimit të 35 vjetorit të themelimit të degës.
“MALISHEVË! Pjesëmarrje masive, entuziazëm, dhe besim i madh qytetar! Festë që sonte u bë edhe më e veçantë falë manifestimit të 35 vjetorit të themelimit të degës sonë atje. Lidhja Demokratike e Kosoves është ngritur në këmbë, dhe me ne është ngritur e tërë Kosova. Në çdo anë të vendit po jehon fort thirrja e madhe popullore për ndryshim! Siç bëjmë në çdo tubim, edhe në Malishevë folëm për projekte madhore e për zgjidhje konkrete. Folëm për të ardhmen, dhe për ‘Rrugën e Re’!” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka thënë se do të investojnë 5 miliard euro në katër vitet e ardhshme në sektor të rëndësishëm të vendit.
“Do t’i investojmë 5 miliardë euro në katër vite për ta transformuar infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe energjinë e Kosovës, dhe për ta ringjallur ekonominë tonë! Do të krijojmë programe specifike për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë me qasje më të lehtë në financim dhe teknologji moderne. Do t’i realizojmë të gjitha projektet tona zhvillimore dhe do ta bëjmë vendin tonë krenar!Sepse kjo tashmë nuk është vetëm një fushatë – është ëndrra jonë e madhe për Kosovën që do ta ndërtojmë bashkë!” – ka shkruar Abdixhiku.
Ndër të tjera ai ka falënderuar Fatmir Ademajn për organizimin madhështor të këtij tubimi.
“Fatmir, përgëzime për këtë organizim madhështor! Suksese edhe kandidatëve tanë nga Malisheva Fatmir Ademaj, Fetah Rudi, dhe Fatmir Kastrati.” – përfundon shkrimi i tij.