Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur në Gjilan një tubim me gratë e Forumit të Gruas në këtë degë.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka qenë dhe mbetet shtëpia politike ku gratë nuk janë vetëm pjesë e procesit, por sipas tij, janë të barabarta në tavolinën vendimmarrëse, duke udhëhequr hapin e tyre drejt ndryshimeve të mëdha në vend.
“Që nga themelimi i LDK-së, gratë kanë qenë shtyllë e fuqishme e lëvizjes sonë politike. Ato ishin zëri i rezistencës, forca e qëndresës dhe shtylla të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Sot, janë pikërisht ato që do t’i udhëheqin fazat e radhës të konsolidimit të shtetit në qeverinë tonë në ardhje, me rolin e tyre të fuqishëm në reformat e parapara në drejtësi, arsim, ekonomi, shëndetësi e kulturë, duke e bërë ndryshimin real dhe të prekshëm për çdo qytetar”.
“Dhe këtë vizion, këtë vendosmëri, këtë përkushtim për një Kosovë më të drejtë e më të zhvilluar, ne e kemi mishëruar në listën tonë fituese për Kuvendin e Kosovës. Në radhët tona, kemi gra profesioniste, të zonja dhe të përgatitura, që e kanë dëshmuar veten me punën dhe përkushtimin e tyre. Gra që kanë qenë gjithmonë afër qytetarëve, që kanë udhëhequr institucione, që kanë ndërtuar politika dhe që tani janë gati të përfaqësojnë fuqishëm zërin e çdo qytetareje e qytetari në Kuvendin e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Më tej, kreu i LDK-së tha se ky nuk është vetëm një moment politik, por sipas tij, është një moment historik dhe gratë e LDK-së, siç tha ai, nuk janë vetëm pjesë e listës, por ato, tha ai, janë pjesë e ndryshimit.
“Me 9 shkurt, bashkë do ta ndërtojmë një Kosovë ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë hapësirë për të udhëhequr proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit”, tha ai