Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se dera është e hapur për subjektet opozitare për një qeveri të përbashkët nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje të formojë qeverinë.
“Në asnjë moment ne s’kemi mbyllur derën e bashkëpunimit me opozitën, por i takon të parit fillimisht të provojë dhe ne preferojmë opozitën dhe se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile për të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku në ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini.
“Elektorati ka vendosur që LDK-së t’i japë 20 ulëse. Nuk është logjike që me 20 mandate ne t’i turremi qeverisë. Nuk e përjashtoj mundësinë që pas dështimit të partisë së parë në të ulemi sërish [me opozitën] dhe të themi të marrim iniciativën për një stabilitet institucional”, ka thënë tutje ai.
Tutje lideri i LDK-së ka thënë se secila parti në Kuvend mund ta formojë qeverinë nëse e bëjnë shumicën pas dështimit të të parit.
“Nëse dështon i pari, barriera për formimin e qeverisë nuk ka. Secila parti në Kuvend mund të formojë qeveri nëse bën shumicën. A duam të marrim këtë përgjegjësi do të mblidhemi në parti fillimisht dhe nëse ka vullnet brenda partisë mund të ulemi me partitë tjera”.
Abdixhiku më tej është shprehur kundër formimit të komunave të reja në kalkulime për formimin e qeverisë duke shtuar se nuk është interes e as nuk duhet të hyhet në atë çështje sidomos kur dihet se disa komuna të vogla kanë probleme të funksionimit, andaj duhet të analizohet kjo çështje por jo tani.