-8 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

Abdixhiku me kërkesë për qytetarët: Refuzoni këtë pushtet që i pati të gjitha dhe nuk bëri asgjë

- Advertisement -

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kritikuar qeverinë Kurti në seancën e parë të sesionit vjeshtor. Abdixhiku ka thënë se kjo qeveria ka rrezikuar seriozisht raportet me partnerët përëndimorë, politikë e cila ka sjellur sanksione.

Sipas kryetarit të LDK-së, të gjithë duhet të bëhen bashkë që në zgjedhjet e shkurtit t’i jipet fund këtij pushtetit.

“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshueshme si katër vite më parë – për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë dhe të ardhmen që ëndërrojmë.

Po e nisim këtë seancë nën ndjenjën e vazhdueshme të ndasive të mëdha shoqërore brenda nesh, ku akuzat e tradhtisë e Serbisë janë veçse gjuhë e rëndomtë këndej; sikurse dhe ndjenjën e thellë të izolimit tonë ndërkombëtar, ku ne – ndonëse të vetëm – mbesim megjithatë krenar.

Në pabesinë më të madhe historike, kemi zënë vendin e ankueseve ndaj aleatëve tanë, i sulmojmë ata, i ofendojmë ata, i godasim ata, për të marrë në fund asnjë rezultat, veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend evropian.

Një politikë të tillë disfatiste e njohim qartë. E kemi mundur 25 vite më parë. Ne, njerëzit e lirë të Republikës. Veçse, ne ishim vet dhe u bëmë me aleat, ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve, ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve, e kundërshtarët tanë i lamë nën sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike!

Duket se koha ka rrotulluar tavolinat. Kështu ndodhë kur në momente të rëndësishme historike, udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populliste e në kriza – përplot mllef e urrejtje ndaj gjithsecilit. Katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapshtë. Ne veçse kemi kaluar përtej pikës së kthimit e rikuperimit të shpejtë.

Prandaj, në këtë rrotullim tavolinash, shtetësia jonë u godit kësaj vere nga vendimi i Bashkimit Evropian i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën; BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës. 17 vite pas pavarësisë; 25 vite pas lirisë!

Si mund të mburremi me një përfundim të tillë?
Ku qenka suksesi i sjelljes sonë gjoja sovrane?

Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit, për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ta kuptoni mirë, këto janë pasoja serioze të kësaj politike. Kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historik e rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar. Të kuptoni mirë se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota, qëndrojnë humbjet e mëdha të vet shtetit e Republikës.

Natyrisht se popullizmi nuk e kupton këtë brengë. Përkundrazi, popullizmi e popullistët kanë nevojë për polarizim të mëtutjeshëm. Për ndarje sa më të thellë. Ne dhe ju; sa më larg, sa më të ndarë. Siç ishte rasti me urën. Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishin për, në fund disi ngrihet pyetja a je për apo kundër, këndej apo andej urës?

Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurtë, shqip qartë! Sepse, ka një vijë që se kalojmë dot – NATO dhe Kosova janë një, bashkë – asnjëherë përballë! Ky është orientim popullor i Kosovës dhe ju garantoj, se asnjë dëshirë – sado e errët ekstremiste, nuk mund as ta testojë edhe më pak ta ndryshojë këtë orientim.

Por ja që, përveç Ures së Ibrit, ka dhe një urë tjetër, këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, aty nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite, mijëra vetura në ditë, kapërcejnë nëpër rrugën që s’ka urë. Por qeverinë nuk i ke aty. As duke lyrë, as duke testuar, aq më pak duke e ndërtuar atë.

Dhe kjo është zgjedhja jonë sot. Zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat shtetar, përkundrazi me ngufatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar; apo një politike që ndërton e krijon, që pas katër viteve, me 51% e me 12 miliardë euro buxhet, është në gjendje t’i numërojë së paku tri projekte me rëndësi që i ka lënë për këtë vend.

Një politikë që nuk ngritët në mëngjes për t’i hartuar plot 10 ligje kundërkushtetuese, për të atakuar më pas secilin mendimtar më ndryshe, për ti sulmuar gjyqtarët që kundërshtojnë tendencat autokratike e për ti mbrojtur të korruptuarit e mafisë energjetike. Nuk kemi nevojë për një politikë që jeton për t’i sulmuar mediat, bizneset e gjithë korpusin jopartiak të tyre; por një që bën një spital të ri, u jep ushqim fëmijëve në shkolla, përfundon rruga e autostrada disakilometërshe, ndërton centrale me gaz, siguron energji, zbutë deficitin tregtar, e krijon paga të larta, punë të denja, jetë të mirë të për secilin qytetar!

Lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon. Me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse.

Një që na mbanë të mbyllur në vete e të mbytur mes vete.

Kosova është shumë e pasur për të qenë kaq e kurthuar. Është shumë e vlefshme për të mbetur kaq mbrapa e në fatin e ankuesve. Ne kemi ëndërruar me të drejtë një shtet te pasur, të konsoliduar, të zhvilluar me suksese brenda e jashtë; dhe askush, asnjëherë, për asnjë çmim s’ka të drejtë të na ndajë nga kjo ëndërr sa e drejtë aq edhe e mundur.

Dhe nga kjo foltore e këtij Kuvendi i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës, ata që nuk ndjenjë komfort në ndarjen tonë të brendshme, nuk ndjenjë satisfaksion në izolimin tonë të jashtëm, të rreshtohen prapa refuzimit të madh që duhet t’i bëjmë këtij pushteti! I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë!

Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë.
Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme” ka thënë Abdixhiku në parlament.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit