Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Projektligjin e propozuar nga mazhoranca për caktimin e çmimit tavan për produktet bazë.
Ai ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryeministri Albin Kurti nuk e kuptojnë llogarinë e marzhës së fitimit për produkte, andaj edhe nuk duhet të bëjnë caktimin e çmimit tavan për produkte, shkruan lajmi.net.
“Nuk e kupton shembull ministri i Financave, aq më pak kryeministri, që në momentin që një produkt vjen në Doganë, aty ndalen 0.20 cent për 1 euro, pastaj shpenzimet e tjera. Kur këto nuk i din ky ministër, ky sot duhet të shkojë në shtëpi. Këta janë një shtëpi e paditur”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se tashmë reagimi i Qeverisë për ndërhyrje në çmimin e tregut është i vonshëm.
“Reagimi është i vonshëm pasi që po bëhen 8 muaj që ka filluar rritja e çmimeve. Inflacioni ka filluar muaj më parë, po k’ta tash e nxajnë. Ky (ministri) nuk e di sa është rritur inflacioni prej kur ky është në detyrë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka akuzuar ministrin se prej që ka ardhur në detyrë, inflacioni është rritur deri në rreth 20 për qind.
Abdixhiku ka deklaruar se nëse dikush e dërgon këtë ligj në Kushtetuese, ai hidhet poshtë pasi nuk ka bazë.
“Nuk ka alternativë të mundshme, sepse kushdo që e merr mundin ta dërgojë këtë Projektligj në Kushtetuese, ky Ligj bie menjëherë. Sepse ka dy lloj tregjesh, të lirë dhe të rregulluar. Nëse doni me rregullu tregun, Kuvendi ka institucionet. Është ndërtuar Banka Qendrore këtu, se ministri nuk e din, por ka Bankë Qendrore që ka rregulluar çmimin edhe për energji qysh e kemi rregullu”, ka deklaruar Abdixhiku.