Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku së bashku me bashkëpunëtorë bën homazhe te varrezat e Familjes Jashari në Prekaz.
Abdixhiku tha se se sot në 24 vjetorin e epopesë së UÇK-së shënohen tri data të rëndësishme të historisë kosovare, raporton Ekonomia Online.
“Datat 5, 6 dhe 7 mars janë data të gavruara në themelet e lirisë dhe shtetit tonë. 24 vite më parë Drenica, Prekazi, familja Jashari u rrethuan nga forcat serbe. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë së tyre dhe kështu mbrojtën dhe përpjekjen tonë kolektive për liri dhe çlirim. Dhanë një kushtrim të ri ngritjes sonë së përbashkët për çlirimin e madh. Sot 24 vite më pas ne e nderojmë familjen Jashari, komandantin legjendar Adem Jashari, të gjithë të rënët, burrat, gratë, fëmijët e kësaj familje si një shenjë e jashtëzakonshme, si një shenjë e sakrificës sublime në altarin e lirisë. Mbi të gjitha kjo datë, kjo ditë, kjo epope është rikujtim për të gjithë ne. Sidomos për ne në skenën politike se sa e shenjtë është përpjekja jonë për vend, për atdhe e për liri. Prandaj e kemi një obligim moral që të vazhdojmë rrugën e nisur e shtruar nga ta”, tha Abdixhiku, raporton EO