1 C
New York
Sunday, January 18, 2026

Buy now

Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë, thotë se votat po i prekin ata që e kanë gërryer LDK-në nga brenda

- Advertisement -

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me rinumërimin e votave, ku disa kandidatëve për deputetë iu kanë shtuar, e disa tjerëve iu avulluan.

Ky fenomen është vrejtur në të gjitha partitë politike. Abdixhiku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave.

Për këtë, Abdixhiku tha se deputetëve të rinj si Paris Guri i janë avulluar votat, nga ata që politikën e shohin strehë interesi.

Ai ka thënë se përpos ligjit, do të ketë pasoja edhe brenda partisë për ata që kanë manipuluar.

Postimi i plotë:

Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja.

Mbi të gjitha, goditet reforma!

Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë.

Prandaj, pasoja do të ketë.

Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë.

Ndërkohë, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim.

Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet.

Jam i vetëdijshëm se LDK, krahasuar me të tjerët, ka më së paku shpërputhje dhe parregullsi. Por pikërisht sepse jemi kështu, kemi përgjegjësi të dyfishtë.

Të ngjashme

Të fundit