Kryesia e LDK-së ka vendosur unanimisht që kandidat për kryeministër nga kjo parit të jetë Lumir Abdixhiku në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Pas mbledhjes në një konferencë për media, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se janë të hapur që individë dhe parti politike të përfshihen në listën e LDK-së.
Ai tha se janë të gatshëm që nën listën e kandidatëve për deputetë të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
“Ftoj partitë tjera për t’iu bashkuar LDK-së në një listë të përbashkët elektorale. LDK do të rezervojë një pjesë të listës për partitë që bashkohen, përfshirë zotin Limaj me partinë e tij. Kemi gatishmëri për bashkëpunim edhe me demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në e zotit Pacolli, etj. Jemi të hapur edhe për individë”, tha Abdixhiku.






