Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur për raportimet e sotme se deputetja e Listës “Guxo” Doarsa Kica Xhelili i është bashkuar partisë së tij.
Në një deklarim para mediave, Abdixhiku ka thënë se mediat e opinioni do të informohen me kohë për këtë çështje, por që sipas tij, deputetja në fjalë është njëra ndër personat më profesionist që ka Kuvendi i Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Tani unë kam thanë edhe më para që deputetja Doarsa Kica është njëra prej deputeteve më profesioniste që Kuvendi e ka. Ajo ka treguar integritet të lartë në çdo temë që ka trajtuar deri tani. Ne kemi thënë që jemi të hapur per njerëz profesionistë më të mirë që ka Kosova. Për çdo informacion të tillë do të merrni nga LDK. Çdo parti do ta kishte nder ta kishte në radhët e veta”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së u pyet edhe në lidhje me disa deklarata nga eksponentë të LDK-së që thanë se janë diku rreth 7-8 deputetë të pushtetit që pritet t’i bashkohen Lidhjes Demokratike, por që as këtu nuk dha ndonjë përgjigje definitive.
“Nuk do të kemi interesime grupore. Ne po flasim për profesionistë më të mirë që të bëhen pjesë e LDK-së. Nuk po flasim për grupe as për numra të tillë, por për individë me kredibilitet”, tha Abdixhiku