Home Ballina Abdixhiku e kritikon Kurtin se nuk realizoi asnjë investim kapital për tri vjet

Abdixhiku e kritikon Kurtin se nuk realizoi asnjë investim kapital për tri vjet

0
Abdixhiku e kritikon Kurtin se nuk realizoi asnjë investim kapital për tri vjet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar qeverinë Kurti se tash e gati tri vite nuk ka investuar në asnjërën nga rrugët që e lidhin Prishtinën me rajonet tjera të Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se për kaq kohë nuk ka përfunduar rruga Prishtinë-Mitrovicë, ajo për Podujevë, për Pejë, Gjilan e Gjakovë.

Ndërkohë, protestën e organizuar një ditë më parë nga disa qytetarë në mbështetje të Qeverisë, Abdixhiku e ka quajtur protestë në mbështetje të vetes.

“Po e përmbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën.

As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë.

Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Kryeqytet; aty ku Qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol.

Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot.

Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës.

Në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Exit mobile version