Kullat e odat e bukura të Deçanit, të pasura me histori e tregime të shumta, u hapën për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun në takimet e mbrëmshme në Strellc e në Drenoc.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku shprehet se me qyetetarët bisedoi për shqetësimet dhe sfidat që dëgjohen gjithandej Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Në mesin e shumë qytetarëve të përkushtuar e punëtorë biseduam për të njëjtat shqetësime e sfida që po i dëgjojmë çdo ditë gjithandej nëpër Kosovë. Familje dhe qytetarë që, përkundër vështirësive të shumta, mbajnë gjallë shpresën për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë”.
“Në çdo bisedë e dorështrëngim, po e ndiejmë se durimit të qytetarëve po i vjen fundi, dhe ata po presin zgjidhje konkrete për problemet që po i rëndojnë. Ata duan rrugë të sigurta, ekonomi të fortë dhe jetë me mirëqenie e dinjitet. Ata e dinë se këto zgjidhje i ofron vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, si forca e vetme politike në vend që e ka edhe vizionin edhe programin për një të ardhme më të mirë. Pikërisht për këtë qëndroj unë dhe ekipi im”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Me këtë mbështetje dhe përkushtim të ndërsjellë, jemi të vendosur për ta çuar Kosovën përpara. Bashkë me qytetarët tanë, ne do ta bëjmë realitet ndryshimin që e kërkon dhe e meriton vendi ynë”.