21.8 C
New York
Monday, August 18, 2025

Buy now

Abdixhiku: Aktgjykimi i Kushtetueses, fitore e madhe për vendin, mosrespektimi s’është opsion, s’do të lejojmë përbuzjen e shtetit

- Advertisement -

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Gjykata Kushtetuese vërtetoi qëndrimin dhe insistimin e kësaj partie se LVV-ja, nëpërmjet kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari e shkeli Kushtetutën dhe e bllokoi Kuvendin. Ai tha se mosrespektimi i aktgjykimit nuk është opsion e se s’do të lejojnë “asnjë përbuzje të shtetit”.

“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”, shkroi ai në një reagim në Facebook.

“Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelen Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit”, shtoi Abdixhiku.

Ai tha se “Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor”.

Abdixhiku tha se “ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme”.

“Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”.

Të ngjashme

Të fundit