Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është zotuar se me qeverisjen e ardhshme të Lidhjes Demokratike do të ndërtohet spitali i ri prej 150 mijë metrash katrorë në vlerë 500 milionë euro.
Ai tha se “38 klinikat e tanishme, do të vendosen me aparatura të reja, në ambiente të reja.”
“Qendra Klinike Universitare, këtu në Prishtinë është e ndërtuar në vitin 1964, 5 vjet para se njeriu të zbresë në hënë. Ne duhet ta ndërtojmë një spital të ri, dhe ky është qëllimi im. Do të bëjmë një spital të ri, në një lokacion të ri, në një hapësirë të re, plot 150 mijë metra katrorë të reja. Ku 38 klinikat e tanishme, do të vendosen me aparatura të reja, në ambiente të reja. Kot meremeton diçka të vjetruar, e të ndërtuar para 60 viteve më parë. Si gjeneratë e re, si gjeneratë që duhet ta bëjmë shekullin e tanishëm me dekadat e ardhshme, ne duhet të ndërtojmë një spital modern të kohës, me nevoja për qytetarët e vitit 2025 e tutje, jo të vitit 1964.” – tha kreu i LDK-së.