Kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka folur sot rreth iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, ku Kosova dhe shteti që ai drejton tashmë e kanë refuzuar pjesëmarrjen.
Por, Abazoviq ka thënë se kjo iniciativë është krijuar që brenda vetes t’i ketë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.
Madje, ai ka deklaruar se është Kosova ajo që përfiton më së shumti duke qenë pjesë e kësaj iniciative.
“’Ballkani i Hapur’ është i bërë për gjashtë shtete, nuk është i bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, ose për 4.7 shtete, por për gjashtë shtete. Gjithkush që participon reprezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, është se interesi më i madh në rajon është i Kosovës që të jetë në çdo iniciativë rajonale”, tha Abazoviq në Klan Kosova.
Abazoviq ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Sa i përket kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shqyrtimin e demarkacionit, Abazoviq ka thënë se kjo çështje është e kryer sa i përket Malit të Zi.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai.