Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ia ka uruar fitoren Jakov Milatoviç-it në garën për president të Malit të Zi, pasi ky i fundit e mposhti me rezultat të thellë kundërkandidatin e tij Milo Gjukanoviç.
“Fitore. Urime Jakov Milatoviç për zgjedhjen si presidenti i parë evropian në historinë e Malit të Zi! Misioni u krye. Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur. Ne do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”, shkroi ai në Twitter.
Gjatë ditës, Abazoviç theksoi se Milatoviç do të jetë presidenti i ri i Malit të Zi, meqë sipas tij, Gjukanoviç është i lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Sipas tij, shqiptarët në Mal të zi janë sot më mirë se kurrë, të integruar në qeverisjen qendrore dhe lokale.