Deputeti i Kuvendit, Haki Abazi, i cili i është bashkëngjitur listës së AAK-së, ka komentuar takimin e sotëm të kryeministrive shqiptarë – Albin Kurti e Edi Rama.
Abazi deklaroi se kryeministri Rama është duke u imponuar suksesshëm si lideri i Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, për të qenë Rama lider i bie që të komunikojë edhe me Kurtin.
“Rama ka marrë një detyrë mbi vete që në Bruksel, në Berlin të flet në emër të rajonit. Sepse, gara është që kush do ta dominojë marrëdhënien e botës demokratike ShBA-në dhe BE-në për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rama është duke u imponuar në mënyrë të suksesshme si lideri i Ballkanit Perëndimor. Dhe, për të qenë lider i bie që të komunikojë patjetër edhe me kryeministrin Kurti”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ndërkohë, për takimin që Kurti e Rama e realizuan pas seancës së përbashkët të Kuvendit të Kosovës e Shqipërisë, që zgjati vetëm 5 minuta, Abazi thotë se mjaftojnë aq minuta që kryeministri Rama të deklarojë në Bruksel e Uashington që ka komunikuar me Kurtin.
Ai tha se nëse Kurti nuk komunikon me Ramën e pengon që të flas në emër të rajonit.
“Mjafton 5 minuta takim që të shkojë në Bruksel e Uashington dhe të thotë që kam komunikuar me Kurtin, nuk janë marrëdhënie të ngrira. Duhet të kuptoni që nëse Kurti nuk komunikon me Ramën e pengon Ramën që të flet në emër të rajonit, në kuptimin e mirë të fjalës, jo të patronizimit. Për katër vite të qeverisjes këtu, Vuçiq ka arritur të nënshkruajë tri marrëveshje jashtëzakonisht të mëdha, me Francën, Gjermanin dhe për energjinë me ShBA-në. Ky është rrugëtimi drejt stabilizimit të rolit dominant të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Këtë gjë nuk duhet lejuar”, deklaroi ai.
Ndërkaq, seanca e përbashkët e deputetëve shqiptarë u përcoll me përplasje mes qeveritarëve e parlamentarëve. Rama dha kritika e këshilla për Kurtin, si dhe për politikën kosovare, ndërkohë që qasjen e tij e kritikoi edhe opozita shqiptare.