Deputeti i pavarur, Haki Abazi, thotë se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i duhet pozicioni i presidentes Vjosa Osmani, pasi që sipas tij, pa mbështetjen e saj vota për të i bie rreth 26-27%.
Abazi thotë se Kurti ka filluar që t’i bëjë kalkulimet se çfarë mund të bëjë në zgjedhjet e ardhshme dhe se çfarë i ofron Osmani.
“Kurti e ka shumë të qartë se i duhet pozicioni i presidentes dhe ka filluar që dalëngadalë të bëjë kalkulime se çfarë do duhej të bëjë në zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë mund t’i ofrojë… Kurti nëse shkon në zgjedhje pa Vjosa Osmanin dhe pa ‘grupin e besimtarëve’, mund të mbetet diku nën 27 deri në 28 për qind. Mendoj që është një grup me shumë qëndrim brenda VV-së besa edhe parimor jo në idenë e asaj se çfarë sjellin përbrenda diskursit politik të VV-së, por për ata se ata kanë bërë të qartë që nga fillimi se ku qëndrojnë dhe Kurti i ka shfrytëzuar ata për të arritur në një numër të votave dhe rrugës jo vetëm që i ka përjashtuar për faktin që s’kanë votuar për Kodin Civil ata janë anatemu përbrenda VV-së në të gjitha format e mundshme”, tha Abazi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ndërkohë, sa i përket përplasjes Kurti – Osmani, deputeti i pavarur thotë se mes marrëdhënieve të tyre ka ndodhur një sabotim total.
“Glauk Konjufca ka lejuar që të sabotohet Kuvendi. Mes Kurtit dhe Osmanit mendoj që ka ndodhur një sabotim total, atë që e kam thënë disa herë që Parlamenti është i vdekur, ai s’ka zë”, deklaroi ai.
Abazi thotë se Kurti është komunist i thekur.
“Albin Kurti nuk komunikon me askënd, nuk do t’i ndajë informacionet me askënd dhe në momentin që i bie mirë del i pari për të marrë kreditin, në momentin që i del keq fshihet prapa skenave, gjithmonë… Kurti është komunist i thekur, e urren çdo rugovist, por i përdor ata”.
Ai thotë se Kurti e ka përdorur Osmanin për t’u bërë kryeministër.