Haki Abazi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë që njerëzit që kanë fuqi të madhe politike duhet të kenë vullnet më të madh politik në bashkëpunim, dhe kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, që është i gatshëm ta shpenzojë krejt buxhetin për zgjedhje.
“Gatishmëria për me u ulë në tavolinë, për me e ba një qeveri e cila i sjell së bashku akterët të cilët e kundërshtojnë qet bllokadë, manipulim që është duke ndodhur, ekziston”, ka thënë Abazi në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Por, duhet vullnet politik nga të gjithë. Edhe nga ata që sot kanë fuqi politike më të madhe se Aleanca, por edhe ata të cilët mund të planifikojnë që në të ardhmen të jenë faktorë të rëndësishëm politikë në zgjedhjet e ardhshme”.
“Sepse, ju po e shihni që nuk ka hezitim nga ana e Kurtit që të shpenzojë të gjithë buxhetin për interesat e tij elektorale”.
Abazi dyshon në qëllimet e Kurtit në veprimet e fundit si “dhënia e pagës së 13-të”.
“Tani, nëse dikush më thotë që është t’u e dhanë pagën e 13-të, ose po e bën 500 euro pagën minimale, ose po u jep studentëve sepse i paska ndier si kategori të nevojshëm, atëherë shtrohet pyetja pse nuk e ka ba vitin e kaluar ose dy-tre vjet më herët?”.





