Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti po “blen” kohë në mënyrë që ta mos konstituojë Kuvendin e Kosovës.
Abazi thotë se Kurti ka për qëllim që zgjedhjet nacionale dhe ato lokale t’i mbajë në të njëjtën ditë. Ai këtë veprim e cilëson përpjekje për të manipuluar procesin demokratik.
“Qëllimi është i qartë me Haxhiun dhe Gërvallën. Nesër mund të jetë Kusari. Tentimi është për të blerë kohë dhe për ta stërkequr vullnetin demokratik të qytetarëve, që në zgjedhjet e ardhshme komunale të dilet edhe me zgjedhje nacionale. Tentimi i Kurtit është që të dy palë zgjedhjet – edhe këto nacionale edhe ato lokale – të mbahen në të njëjtën ditë, ose afërsisht me njëra-tjetrën. Mundësisht këto nacionale paraprakisht, që zgjedhjet lokale të mos tregojnë realitetin e vërtetë të gjendjes së përfaqësimit demokratik të qytetarëve në Kosovë”, tha Abazi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai shtoi se edhe veprimet e fundit në mbledhjen e KQZ-së, ku nuk u certifikua Lista Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit tregojnë përpjekjet e Qeverisë për të prodhuar kriza të reja.
“Edhe qëndrimi i sotëm në mbledhjen e KQZ-së prapë e vërteton idenë dhe tentimin për të krijuar kriza të reja, mbi të cilat duhet të jetojë e të mbijetojë me këto masa të dhunshme ndaj shtetit dhe demokracisë në Kosovë”, theksoi Abazi.