Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se AAK po zgjerohet në Gjermani, duke iu shtuar edhe një nëndegë në Böblingen.
Hradinaj tha se janë zgjedhur edhe organet drejtuese të saj, shkruan lajmi.net.
“Diaspora ishte krah i fortë në të gjitha periudhat për atdheun dhe frymëzim në përpjekjet tona për të arritur deri tek liria. Bashkatdhetarët në diasporë po i ofrojnë mbështetje të fuqishme koalicionit të prirë nga Aleanca, për t’i dhënë Kosovës qeveri fituese. Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në kuadër të shtrirjes në Gjermani ka themeluar nëndegës e saj të radhës, në Böblingen, me ç’rast ka zgjedhur edhe organet drejtuese të saj”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi.
Haradinaj shtoi se diaspora po beson fuqishëm se AAK-ja, sipas tyre, din dhe mundet ta bëjë Kosovën anëtare të NATO-s.
“Ashtu si dikur që arritëm ta formojmë Ushtrinë e Kosovës, pavarësinë energjetike dhe prodhimin e rrymës nga zero në 900 megavat, si dhe Trepçën si aset shtetëror në bazë të ligjeve të Kosovës, diaspora po beson fuqishëm se Aleanca din dhe mundet ta bëjë Kosovën anëtare të NATO-s dhe me një ekonomi të zhvilluar”, shtoi ai.
“Faleminderit kryetarit të Aleancës për Gjermani, Ukë Blaka dhe bashkëpunëtorëve për sukseset e vazhdueshme”, përfundoi ai.