Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në kanalin e ujit të “Iber-Lepencit”.
Në reagimin e AAK-së thuhet se sulmi terrorist i ndodhur të premten e kaluar në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” përbën një nga aktet më të rënda dhe më të shëmtuara në Kosovën e pas luftës.
“Ky akt ka shkaktuar shqetësim të thellë si në opinionin publik vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, dhe është dënuar fuqishëm nga të gjitha palët relevante. AAK-ja kërkon edhe një herë nga autoritetet përkatëse që të hetojnë rastin në mënyrë të shpejtë, duke i sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Rëndësia e menaxhimit dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike është e pamohueshme, duke pasur parasysh rolin jetik që ajo luan në funksionimin e shtetit. Çdo përpjekje për të cenuar apo dëmtuar këtë infrastrukturë përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve. Për këtë arsye, menaxhimi i situatave të tilla duhet të kryhet me profesionalizëm të lartë dhe sipas standardeve ndërkombëtare, duke shmangur çdo krijim të panevojshëm paniku tek qytetarët”, thuhet në reagim. .
Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore në kuadër të AAK-së vlerëson se menaxhimi teknik i kësaj situate ka lënë shumë për të dëshiruar.
“Në një komunikatë të mëparshme, kemi ngritur shqetësimin për mënyrën se si qeveria Kurti ka trajtuar ekspertët e fushave të ndryshme, duke zbatuar një “spastrim” të padrejtë në pothuajse të gjitha kompanitë publike, pa ndonjë justifikim të bazuar. Ekspertët e kualifikuar, të trajnuar ndër vite dhe me përvojë në menaxhimin e situatave emergjente, janë deskridituar dhe anashkaluar plotesisht. Në shumë shtete, ekspertët trajtohen si një aset i çmuar kombëtar dhe jo si viktima të politikave ditore apo interesave personale”, thuhet në reagim.
Në reagimin e AAK-së po ashtu thuhet se kjo qasje e papërgjegjshme nga ana e qeverisë dëmton rëndë kapacitetin e shtetit për të përballuar ngjarje të tilla kritike.
“Në një kohë kur kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike janë reale, është jetike që të mbështetemi te ekspertët tanë dhe të forcojmë institucionet në bazë të meritokracisë dhe profesionalizmit. Gjatë kësaj periudhe, bazuar në informacionet e transmetuara nga mediumet tona, kemi vërejtur disa deklarata nga institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me cilësinë e ujit në kanalin “Ibër-Lepenc”. Kjo ministri, menjëherë pas sulmit, deklaroi se uji që kalon në kanalin “Ibër-Lepenc” aktualisht nuk është i pastërt për pije. Vlerësojmë se deklarata të tilla të pamatura kanë shkaktuar panik dhe konfuzion të panevojshëm tek qytetarët, veçanërisht tek ata që furnizohen nga liqeni i Ujmanit. Është e njohur se uji që kalon në këtë kanal nuk është i përshtatshëm për konsum të drejtpërdrejtë dhe gjithmonë trajtohet në impiantet përkatëse, si ato në Mitrovicë, Vushtrri dhe Shkabaj në Prishtinë, përpara përdorimit për pije”, thuhet në reagimin e AAK-së..
Në reagim po ahstu thuhet se para lëshimit të deklaratave të tilla, do të ishte më e udhës që të bëhej konsultim paraprak me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), si institucioni më kredibil në këtë fushë. Një deklaratë e bazuar në informacione të verifikuara dhe të lëshuara nga IKSHP-ja do të kishte pasur më shumë besueshmëri dhe do të shmangte krijimin e pasigurisë te qytetarët.
“Në këtë periudhë sfiduese, kërkojmë nga institucionet përkatëse që të rrisin bashkëpunimin me ekspertët e fushës dhe të përqendrohen te ndërtimi i një sistemi menaxhimi të sigurt dhe profesional për infrastrukturën kritike. Qytetarët duhet të informohen me saktësi dhe qetësi, duke siguruar një qasje transparente dhe të përgjegjshme. Vetëm përmes angazhimit profesional dhe bashkëpunimit institucional mund të garantohen siguria dhe mirëqenia e qytetarëve”, thuhet në reagim.