Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se subjekti politik i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë votim të projektligjeve e vendimeve të tjera që sjellen në Kuvend, deri në votimin e komisionit hetimor për energjinë elektrike.
Haradinaj një gjë të tillë e ka bërë të ditur në konferencën e jashtëzakonshme të ftuar nga AAK, duke kritikuar qeverinë për ndarjen e fondeve për rrymën në veri.
“Jemi dëshmitarë që sot ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Dihet mirëfilli se dhjetëra milionë janë paguar për rrymën e vjedhur në veri. AAK nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, deri në votimin e këtij vendimi”, ka thënë Haradinaj.
Tutje, ai ka ri-përsëritur qëndrimet e AAK-së, se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 370 euro neto. Në vendimin e fundit të Qeverisë, paga minimale neto parashihet të bëhet 250 euro.
Ai më pas ka kritikuar Kurtin edhe për refuzimin e gazsjellësit amerikan ku një vendim i këtillë, sipas kreut të AAK-së, dëmton marrëdhëniet strategjike me SHBA-në.