(Radio Evropa e Lirë)– Nuk ka sinjale të mjaftueshme që konfirmojnë se raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të miratohet së shpejti nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Miratimi i këtij raporti do të jetë sërish sfidë edhe të shtunën, kur pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, thonë disa nga deputetët e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, si dhe njohës të zhvillimeve politike.
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se hezitimi për votimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, ekziston tek të gjitha partitë parlamentare.
Megjithatë, ai shpreh bindjen e tij se kjo nyje, e cila është krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit, duhet të zgjidhet.
“Duhet ta kalojmë [miratojmë] raportin dhe të hyjmë në temë, pra, të betohen deputetët. Raportin është dashur të kalojmë [qysh në fillim]. Nuk është kjo as garë as kundërshtim”, theksoi Berisha.
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës mendon ndryshe. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Besian Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e ekzekutivit – të cilët janë zgjedhur dhe certifikuar si deputetë – duhet t’i deponojnë dorëheqjet e tyre në organet e Kuvendit të Kosovës.
“LDK-ja vazhdon të jetë me të njëjtat qëndrime që kanë qenë që nga fillimi i kësaj seancë konstituive. LDK-ja nuk sheh ndonjë rrugë tjetër, përveç asaj ligjore”, thekson Mustafa.
Interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje nuk i është përgjigjur PDK-ja.
Megjithatë, kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një paraqitje për televizionin T7, të enjten, tha se deputetët e PDK-së nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre. Ai ka theksuar se në rast se duhet të miratohet raporti në Kuvend, i takon Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë votat e domosdoshme për një gjë të tillë.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka dhënë ndonjë sqarim publik nëse do të arrijë ta sigurojë shumicën e nevojshme të votave për miratimin e këtij raporti.
Të premten, Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, pyetjes së gazetarëve lidhur me këtë çështje i është përgjigjur me pyetje.
“Ajo [çështja e miratimit të raportit] është nesër [të shtunën], apo?” ka thënë Kurti.
Më 15 prill, ditën kur nisi seanca konstituive e Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkuan dorëheqjen formale dhe publike të anëtarëve të Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – në mënyrë që raporti të miratohej nga deputetët e tyre.
Po atë ditë, Kurti tha se dorëheqja e tij është efektive që nga 27 marsi, kur ai e njoftoi KQZ-në se “ekzekutivi është në detyrë/dorëheqje”. /REL