Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka dorëzuar te Avokati i Popullit, Ligjin për skemat pensionale. Kjo është bërë me qëllim që të procedohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se kërkesa kryesore është që të largohet kushti 15 vjetësh si “masë diskriminuese kundrejt popullatës sonë në raport me skemat pensionale kontributdhënëse”.
“Kemi deponuar tekë Avokati i Popullit një iniciativë tonë në lidhje me largimin e 15-vjetëshit, pra diskriminimi që është duke ju bërë që sa vite popullatës sonë në raport me skemat pensionale kontributdhënës. Ky ligj ka qenë më herët në Gjykatë Kushtetuese dhe pas një intervali të gjatë kohorë u bënë disa manipulime në Kuvend nga ana e qeverisjes dhe 15-vjetëshi sërish mbeti”, është deklaruar para mediave ai.
Më tutje Dreshaj ka thënë se ky ligj nënkupton se ai person i cili pas datës 1 janar 1984 ka krijuar marrëdhënie punës me shtetin, nuk gëzon të drejtën e pensionit kontributdhënës.
“Ky ligj nënkupton që ai person pas datës 1 janar të viti 1984 ka krijuar marrëdhënie punë me shtetin nuk gëzon të drejtën e pensionit kuntributdhënës, që do të thotë që për një vit ose një javë e humbin kontributin që e kanë bërë për vite të tëra. Këtë herë kërkesa e jona eksplicite është që të largohet 15-vjetëshi si masë diskriminuese dhe njëkohësisht që të largohet data 1 janar i viti 1999 që nënkupton numrin e stazhit pensional”, është shprehur Dreshaj.