Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë së partisë së tij, ai tha se situata është “më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vetë kryeministri Albin Kurti”.
“Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999. E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti. Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”.
“Është hera e parë në histori që miku më I madh I Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës. Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti”.
Haradinaj thotë se u bën thirrje “të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre”, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot “ta ndihmojnë Albin Kurtin”.
“Dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e këtij vendi. Kështu e ndihmojnë Kosovën, por e ndihmojnë edhe atë. Ai i cili i sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend”.