Ditë më parë, u raportua se reperi Mozzik (Gramoz Aliu) është arrestuar për shkak se nuk e ka deklaruar një orë në vlerë mbi 1 milion euro. Por, Mozzik ka mohuar të jetë arrestuar…
Avokati Arianit Koci, ka sqaruar për Nacionalen, se rasti i Mozzikut, në fakt është shqetësues për shkak se legjislacioni në fuqi, ‘lë një pasiguri juridike te qytetarët’.
“Problemi është që legjislacioni nuk është i kompletuar, nuk e kemi praktikën adekuate këtu, kjo e sjell një pasiguri juridike për qytetarët e Kosovës.
Mozzik është banor i Zvicrës, pra e ka lejeqëndrimin e përhershëm në Zvicër. Dogana pretendon se në bazë të legjislacionit të Kosovës ky kur ka ardhë në Kosovë është dashtë ta paguajë këtë orë dhe me e lajmëru Doganën”, ka thënë avokati Koci për Nacionalen.
Koci ka thënë se ky akt, përbën ‘shkelje të të drejtave elementare të njeriut”.
“Unë mendoj se kjo është gabim sepse kjo do të duhej të ndodhte nëse Mozzik do të jetonte me të në Kosovë, e jo kur kthehet prapë me atë orë në Zvicër.
Më duhet t’i falënderoj zyrtarët e Doganës, Policinë dhe krejt rend, që janë të mirëkuptueshëm. Tash po tentojmë ta gjejmë një zgjidhje racionale që nuk i shkel të drejtat elementare të njeriut” – tha ai.
Reperi Mozzik, ka thënë se arsyeja pse po flet, është se kishte shumë lajme të pavërteta rreth rastit, të raportuara në media të ndryshme.
“Ideja është që unë, nuk është e pëlqimit tem të merrem me këtë temë se s’kam qejf me dalë shumë në intervista, por më ka pengu pjesa që nuk qëndrojke, u arrest…më thirrshin baba nana ku je. Dilshin lajmet jo i ka borxh Kosovës, e andej këndej” – i tha Mozzik, Nacionales.
Ai ka thënë se është një nga tatim-paguesit më të mëdhenj nga artistët shqiptarë.
“ATK është e informume, unë kam qenë i dënume prej tyne, kam marrë një dënim shumë të lartë dhe e kam pagu. Vazhdoj me pagu hala, vazhdoj me i pagu shtetit tem, por njerëzit që nuk e dinë, që shkruajnë gjana palidhje, që nuk e dinë. Unë jam tatimpagues në Gjermani, në Zvicër dhe në Kosovë.
Kështu që mundem me thanë që jam një nga tatimpaguesit më të mëdhenj nga artistët shqiptarë” – tha ai.