Në mbledhjen e së enjtes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që Listën Serbe mos t’a certifikojë për zgjedhjet lokale.
Lista Serbe aktualisht është partia më e madhe e përkrahur nga serbët e Kosovës.
Nëse moscertifikimi i saj vërtetohet edhe në PZAP, vlerësohet se kjo parti mund të nxisë përkrahësit e saj për reagime kryesisht në pjesën veriore.
Nënkoloneli në pension i Policisë, thotë se me shtrirjen e madhe të Policisë së Kosovës, kjo e fundit mund të menaxhojë çfarëdo tensioni të mundshëm.
“Unë mendoj se mund të ketë tentativa të tilla nga Lista Serbe sepse nga ajo nuk pritet diçka e mirë, për arsyse se vazhdimisht kemi pasë tentativa edhe më herët kemi pasë të tyre në koordinim edhe me Beogradin sidomos me Vuçiqin për arsye se shumica nga ta udhëheqen edhe nga Qeveria Serbe nga Vuçiqi e tjera prandaj besoj se institucionet e sigurisë sidomos Policia edhe Prokuroria do ta mbulojnë në tërësi territorin dhe nuk do t’i lënë hapësirë për barrikada”, tha nënkoloneli në pension, Refki Morina.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë nuk pret se do të ketë ndonjë tensionim të situatës të përmasave të mëdha.
“Nuk mund të jetë një pretekst për tensionim të situatës nëse eventualisht nuk certifikohet kjo, por duhet vetëm në aspektin procedural dhe gjuhësor nëse eventualisht ka procedime kundërvajtëse penale për anëtarë të kësaj partie, ato procedohen ligjore dhe gjuhësore”, tha Nuredin Ibishi.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor dhe ruajtjen e pluralizmit demokratik.
Në reagim thuhet se e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është themel i qeverisjes demokratike.