Shkruan: Shenoll Muharremi
Me shumë gjasë, nuk do të kemi më kriza e bllokada pas 28 dhjetorit. Do të kemi ndryshime pozitive, kthim në normalitet dhe stabilitet. Kthim të shpresës dhe më shumë siguri për të ardhmën.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, përndryshe, nuk janë një ‘lojë e votave’ por Lojë e Strategjive dhe Aleancave. Pak ka rëndësi nëse i fiton disa vota më shumë apo jo.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme po dallojnë dukshëm prej atyre të 9 shkurtit. Aty u matën forcat dhe u pa kush sa ka përkrahje dhe nëse dikush e ka shumicën apo jo. Dihet rezultati, por edhe trendet kryesore eletorale.
Tani kemi një lojë krejt ndryshe për shkak se kuptuam diçka shumë me rëndësi më 9 shkurt, atë që vota mundesh me pas shumë, por pa e pas shumicën nuk ke asgjë në demokraci. Prandaj, qasja e partive, stili i komunikimit e strategjia e partneriteteve u kthyen tashmë në pikën kryesore të zgjedhjeve.
Fito sa të duash vota, kur nuk ke partnerë me kriju shumicë e qeveri, e askush nuk ka vota aq shumë që vetë me formu shumicën. Rrjedhimisht, qeverinë e re e formojnë ata që kanë miq e partnerë, e ata që nuk kanë shkojnë në opozitë.
Për këtë arsye, pak kanë rëndësi rezultatet specifike në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pak a shumë e dimë fuqinë e secilës forcë politike. Ua dimë edhe qëndrimet tashmë.
Rrjedhimisht, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë “lojë e votave”, por lojë e strategjisë, aleancave dhe partneriteteve. Kush i ka këto të fundit, fiton.
Nga kjo që po shohim deri tani, kurrë më afër nuk ka qenë ndryshimi dhe dalja nga kriza. Tashmë i kemi disa indikatorë kredibilë që japin mundësi reale për ndryshime, sikur asnjëherë më herët.
Ndoshta gjërat më të rëndësishme janë me pas fushatë të mirë e pozitive si dhe me pas një proces kredibil zgjedhor dhe të pranuar nga të gjithë.
Mesiguri do kenë ndikim gjithashtu sa do të jetë dalja e votuesve apo përqindja dhe numri i pjesëmarrësve, dhe rezultati eventual i AAK-së.
Për këto, gjithkush i ka përshtypjet e tyre; të miat sugjerojnë që kemi me pas rënie të pjesëmarrjes, ndërsa AAK e kalon pa problem pragun.
Qeveria e Re formohet pa vonesa.






