Më 4 prill zyrtarisht përfundon mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës.
Saktësisht 30 ditë para kësaj date, Kosova duhet të bëhet me presidente ose president të ri.
Dhe Vjosa Osmani, pritet të jetë kandidatura kryesore.
Kur kanë mbetur edhe pak javë deri në këtë kohë, Osmani ka realizuar disa vizita të rëndësishme jashtë vendit.
Në Davos të Zvicrës, me përfaqësimin e saj, Kosova u bë pjesë e Bordit të Paqes të kryesuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Kurse, prej disa ditësh Osmani po merr pjesë në Samitit Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjithë këto veprime të Osmanit, po shihen si tentativa të fundit për të treguar se sa e meriton ajo edhe një mandat të ri.
“Është angazhuar maksimalisht dhe po angazhohet maksimalisht në lobim dhe këto vizita që i patë në SHBA, gjithsesi se po provon t’i nxjerrë si ndryshim, si ajo që është kanali kryesor i komunikimit me SHBA, dhe janë në vazhdën e një lobimi, i cili është një lobim momental. Në kuptim të asaj të ndjekjes së jetësimit të vullnetit të saj për të qenë shefe e shtetit edhe për një mandat. E që kjo nuk varet nga këto vizita, sa varet nga pasja e numrit të votave në Kuvendin e Republikës”, thotë analisti politik, Albinot Maloku.
Së fundi, Osmani gjithashtu shprehu gatishmërinë që presidentin Trump ta nominojë për çmimin Nobel për Paqe, nëse është presidente edhe për një mandat.
Edhe këto veprime, nuk përjashtohet mundësia të përdoren si “fushatë” nga Osmani.
“Është fakt që zonja Osmani ka krijuar marrrëdhënie të mira me administratën amerikane, jo vetëm me këtë por edhe me paraprakem, kështu që janë pjesë e agjendës shtetërore. Ndoshta në një formë ose tjetrën, indirekt, mund të ndihmojë në proces të rizgjedhjes së saj, mirëpo mos të harrojmë që zgjedhja e presidentit bëhet në Kuvend nga deputetët dhe jo detyrimisht është rezultat i ndonjë fushate individuale të kandidatëve”, tha analisti politik, Artan Alijaj.
Osmani u zgjodh presidente më 4 prill 2021, me 71 vota për, duke u bërë presidentja e dytë grua që zgjodhi Kuvendi i Republikës së Kosovës.






