Presidentja Vjosa Osmani sot mori pjesë në akademinë përkujtimore për Latif Berishën dhe Agim Hajrizin, një ngjarje e organizuar nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.
Duke ecur rrugës në këtë qytet, Osmani u pyet nga gazetarët nëse ka nisur fushatën e saj me vizitat e fundit nëpër qytete të Kosovës.
Duke e mohuar, ajo tha se këto takime janë për t’i falënderuar qytetarët për përkrahje në fund të mandatit të saj pesëvjeçar.
“Jo absolutisht. I falënderoj qytetarët për përkrahjen, për dashurinë që na kanë dhënë për faktin që kanë qenë pranë nesh çdo ditë përgjatë këtyre pesë viteve edhe për nderin e madh që ma kanë dhënë që t’i përfaqësoj ata brenda dhe jashtë përgjatë këtyre viteve. Pra, thjesht janë takime falënderimi siç i patë edhe shumë prej këtyre që sapo i patëm këtu”, tha Osmani para gazetarëve.
Në këtë ngjarje në Mitrovicë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ish-bashkëpartiakja e saj. Gazetarët e pyetën edhe për raportin me të, por Osmani vendosi të mos përgjigjej, ndërsa dikush afër saj u dëgjua të thoshte: “Sot nuk është momenti me bo kësi pyetje. A?”.






