Barërat dhe ilaçet që shërbejnë për ereksion po vazhdojnë të shiten edhe pa përshkrimin e mjekut në Kosovë.
Një ndër barërat më të përdorura për ereksion ose nga personat që kanë probleme me ereksion është edhe Viagra.
Seksologu Hajrullah Fejza, në një intervistë të realizuar me lajmi.net, ka folur për rrezikun e përdorimit të Viagras pa përshkrimin e mjekut.
Duke marrë parasysh se Viagra po përdoret edhe nga të rinjtë, Fejza treguar rreziqet që paraqet përdorimi i këtij bari tek këto mosha.
“Viagra dhe barnat e ngjashme kanë indikacion për përdorim vetëm në rastet kur konstatohet se çrregullimi i ereksionit është si pasojë e mbylljes së enëve të gjakut. Duke e ditur se te të rinjtë kjo ndodhë shumë rrallë ose asnjëherë, përdorimi i Viagrës është i panevojshëm, pa ndonjë efekt terapeutik dhe mund të ketë efekte të dëmshme. Duhet rikujtuar të rinjve edhe njëherë se Viagra dhe barnat e ngjashme nuk janë stimulues seksual, nuk e rrisin dëshirën për seks dhe përveç efektit placebo nuk kanë ndonjë efekt tjetër pozitiv”, ka thënë Fejza.
Ai ka thënë se përdorimi i shpeshtë i këtyre barërave nga të rinjtë mund të krijojë varshmëri psikike, zhgënjim të partnerit dhe humbje të vetëbesimit.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë të lajmi.net me seksologun Hajrullah Fejza:
Lajmi.net: Sa është i dëmshëm përdorimi i viagrave apo stimuluesve të tjerë?
Hajrullah Fejza: Sildenafili që shitet në treg me emrin tregtar “Viagra”, është bari që bën pjesë në grupin e inhibitorëve të enzimës Phosphodiesterase-5, (PDE5 -i) dhe ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut duke mundësuar ereksion (ngrehje) të penisit. Kjo dhe barnat e tjera të këtij grupi veprojnë vetëm pas stimulimit seksual. Viagra nuk rrit dëshirën e një mashkulli për të bërë seks, pra nuk mund të llogaritet si stimulues seksual. Kur përdoren me përshkrim nga mjeku dhe udhëzim nga farmacisti janë shumë të sigurta. Duke qenë se është bari, njëjtë sikur edhe te barnat tjera, nëse përdoret në mënyrë të gabuar mund të jetë i dëmshëm.
Lajmi.net: A duhet të jetë e lejuar shitja e viagrave pa përshkrim të mjekut?
Hajrullah Fejza: Në mënyrë absolute duhet ndaluar shitjen e “Viagrës” dhe barnave të ngjashme me të, pa përshkrim nga mjeku. Barnat e këtij grupi janë një nga barnat më të falsifikuara në botë. Mbi 3 milionë ilaçe të rreme për çrregullim të ereksionit janë kapur në vitin 2019 vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do të thotë se një përqindje e lartë e produkteve të tregtuara në internet si Viagra, në fakt nuk janë Viagra. Viagra e rreme është një shqetësim serioz, sepse është e pamundur të dihet saktësisht se çfarë përmban dhe çfarë efektesh anësore mund të shkaktojë.
Lajmi.net: Si ndikon viagra tek të moshuarit, duke marrë parasysh vdekjet e të moshuarve këtë vit si pasojë e përdorimit të viagras?
Hajrullah Fejza: Viagra dhe barnat e ngjashme që përdoren për përmirësim të ereksionit janë të dedikuara për përdorim te personat me çrregullime organike të ereksionit e që kryesisht janë prezentë te popullata më e shtyrë në moshë. Vdekjet që ju referoheni ju, janë kryesisht pasojë e marrjes së tyre pa përshkrim të mjekut ose farmacistit, mënyrës së gabuar të konsumimit dhe mos përshtatjes së moshës dhe mënyrës së të bërit seks.
Lajmi.net: Si mendoni se ka ndikuar pandemia tek qytetarët në aspektin e marrëdhënieve intime?
Hajrullah Fejza: Pandemia ka ndikuar në dy mënyra në fushën e marrëdhënieve seksuale. Përderisa te një kategori e caktuar të qenit bashkë dhe me lëvizje të kufizuar është rritur intimiteti dhe rrjedhimisht edhe cilësia dhe shpeshtësia e marrëdhënieve seksuale, te disa tjera infeksioni i kaluar, frika e madhe dhe humbja e njerëzve të afërt kanë ulur edhe cilësinë edhe shpeshtësinë e këtyre marrëdhënieve.
Lajmi.net: Çfarë duhet të kenë kujdes personat të cilët kanë marrëdhënie seksuale për herë të parë?
Hajrullah Fejza: Marrëdhënia e parë seksuale është një përvojë që për shumicën e të rinjve shënon fillim të një përvoje dhe dëshire të re që ka efekt afatgjatë te ata dhe nëse kjo përvojë nuk është e kënaqshme apo është e dhunshme mund të ketë pasoja për tërë jetën. Të rinjtë e papërvojë në seks është shumë e rëndësishme që të marrin informata bazike rreth shëndetit seksual që përfshijnë njohjen e anatomisë së trupit dhe organeve gjenital, përgjigjen seksuale, komunikimin seksual, respektimin e të drejtave seksuale dhe informata për seks të sigurt.
Lajmi.net: A keni ndonjë statistikë, çfarë moshe i përkasin përdoruesit më të shpeshtë te viagras?
Hajrullah Fejza: Nuk kam statistika të tilla sepse Viagra në shumicën e rasteve shitet pa recetë dhe në forma të ndryshme por duhet besuar që personat në moshë të shtyrë janë përdorues më të shpeshtë.
Lajmi.net: A mund të shkaktojë viagra dhe stimuluesit e tjerë vdekje edhe tek të rinjtë?
Hajrullah Fejza: Viagra dhe barnat e ngjashme kanë indikacion për përdorim vetëm në rastet kur konstatohet se çrregullimi i ereksionit është si pasojë e mbylljes së enëve të gjakut. Duke e ditur se te të rinjtë kjo ndodhë shumë rrallë ose asnjëherë, përdorimi i Viagrës është i panevojshëm, pa ndonjë efekt terapeutik dhe mund të ketë efekte të dëmshme. Duhet rikujtuar të rinjve edhe njëherë se Viagra dhe barnat e ngjashme nuk janë stimulues seksual, nuk e rrisin dëshirën për seks dhe përveç efektit placebo nuk kanë ndonjë efekt tjetër pozitiv. Përkundrazi, përdorimi i tyre i shpeshtë nga të rinjtë mund të krijojë varshmëri psikike, zhgënjim të partnerit dhe humbje të vetëbesimit.