E themeluar me ligj të Kosovës, por vepron në kryeqendrën evropiane.
Për Gjykatën Speciale po konsiderohet mundësi, krijimi i një mekanizmi mbikëqyrës.
Por megjithatë e parealizueshme në praktikë.
“Është ligji i cili parasheh shkallshmërinë, domethënë e kemi Gjykatën e shkallës së parë, e kemi Gjykatën e Apelit, e shkallës së dytë, e kemi Gjykatën Supreme, si shkallë të tretë. Sikur rasti i Calit për shembull, Gjykata e shkallës së dytë ka bërë ndryshim dënimi. Kështu që, konsideroj se kjo mbetet vetëm e dëshiruar por e pa arritur, për arsye se nuk mund të ndikojë asnjë legjislaturë në funksionimin e Gjykatës“, tha avokatja, Fehmije Gashi-Bytyqi.
Njëjtë, si e parealizueshme llogaritet edhe çdo premtim për zhbërje të Speciales.
“Shuarja apo zhbërja e Gjykatës Speciale, kushdo që e premton, cilado parti që e premton, është e pamundur, sepse është krijuar edhe me aprovimin e Këshillit të Evropës dhe është e financuar nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët tanë. Si dhe kemi një procedurë të hapur për ish krerët e UÇK-së dhe nuk ka mundësi të iniciohet e lëre më të votohet një zhbërje e Gjykatës Speciale”, tha avokati, Xhevdet Smakiqi.
Deklarativisht, disa herë nga partitë politike është përmendur si mundësi kërkesa për ta zhbërë Gjykatën Speciale.