7.8 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

A mund të lirohet Thaçi, pas fitores së Trump?

- Advertisement -
Presidenti i ri i SHBA-ve, Donald Trump, gjatë garës për zgjedhjet presidenciale, kishte deklaruar se urdhri i tij i parë i punës si president i ri, do të jetë shkarkimi i këshilltarit special, Jack Smith, që e paditi atë në dy raste. E ishte po i njëjti prokuror, që kishte ngritur edhe aktakuzën ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë. Njohësit e drejtësisë në vend, tregojnë se a mund të ketë ndikim zgjedhja e Trumpit president, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

Më 5 nëntor të vitit 2020 doli para gazetarëve.

Aty Hashim Thaçi njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit.

“Jam informuar nga njerëzit kompetent, zyrtarisht se gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara, ka konfirmuar aktakuzën kundër meje”, ka deklaruar ai.

Kjo aktakuzë, u ngrit nga Kryeprokurori në Dhomat e Specializuara, Jack Smith.

E ky i fundit tri vjet më pas, ngriti aktakuzë edhe për një tjetër ish-president.

Këtë herë akuzoi Donald Trump se ai mori dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe po i mbante paligjshëm.

Por, kjo çështje u hodh poshtë nga Gjykata e Qarkut të SHBA për Distriktin Jugor të Floridës.

E pas kësaj, kandidati republikan për president, tregoi se cili do të jetë vendimi i tij i parë, nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Ne morëm imunitet në Gjykatën e Lartë. Është kaq e lehtë. Unë do ta pushoja (Jack Smithin) brenda dy sekondave. Ai do të jetë një nga gjërat e para që do të adresohen”, ka thënë Trump.

E pas kësaj, kishte reaguar edhe ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Ky kishte shkruar se radha për të triumfuar kundër Jack Smith, tani ishte e Hashim Thaçit.

E të mërkurën, Donald Trump, zyrtarisht u zgjodh presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, a mund të ketë ndikim kjo në punën e Gjykatës Speciale?

“Ajo (gjykata speciale) ka qenë politike dhe si e tillë vazhdon me qenë. Prandaj ardhja në pushtet e Republikanëve me theks të veçantë te presidentit Trump dhe Grenell, i cili ka qenë në vazhdimësi i kyçur në proceset e tilla, unë besoj dhe shpresoj që të ketë një dinamizmi më të madh të punës së kësaj gjykate me qëllim të arritjes së përfundimit të procesit sa më shpejt, për faktin se edhe vet Gjykata Speciale e ka konfirmuar që procesi është stërzgjatur”, ka thënë avokati, Ardian Bajraktari.

Bajraktari shton se në të ardhmen,  vet prokurori Jack Smith, mund të jetë subjekt i hetimeve.

“ Është një prokuror që është marrë gjatë me dy proceset, e sa i përket kredibilitetit të tij e aspekteve të tjera, ka pasur jo pak diskutime, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një proces hetimor për të parë nëse ka implikime të të njëjtit”.

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në vitin 2022.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit