Pas takimit që patën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, partitë joshumicë dolën me kërkesa të tyre për formimin e qeverisë së re.
Por, sipas njohësve të politikës dhe sigurisë, po vlerësohet se Serbia përmes Listës Serbe, po e shfrytëzon momentin për të ndikuar te partitë joshumicë, për të krijuar ngërc politik.
Gazetari Muhamet Hajrullahu thotë se ndikimi i mundshëm te partitë e komuniteteve, krijon pengesë në krijimin e institucioneve.
“Ndikimi i Serbisë, dhe ndikimi i Listes Serbe më drejtpërdrejt, dihet në të kaluarën me ndikimin e Radoiçiqit te Lista Serbe, njëri nga deputetët shembull Adem Hoxha, i cili është i rizgjedhur. Më vjen mirë që është takuar me kryeministrin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje po besoj që nashta ka ndërrua anë, por çfarëdo ndikimi i mundshëm i Serbisë në këtë situatë, do të ishte ndërhyrje në krijimin apo pengesat në krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet ai.
E sipas njohësit të sigurisë, Avni Islami, Lista Serbe, pati ndikim në kërkesën që bëri Duda Balje nga partia Unioni Socialdemokrat, për formimin e një komune boshnjake.
“Këtë po e shfrytëzon për të bërë ndasi politike, dhe kryeneqësinë politike shqiptare. Andaj partitë shqiptare duhet ta kenë parasysh se Serbia punon në këtë drejtim dhe vazhdimisht ka punuar përmes listës serbe, ta defunksionalizon shtetin e Kosovës, pra institucionet e Kosovës”, vlerëson Islami.
Më 8 prill kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur në takim përfaqësuesit e subjekteve politike për të diskutuar rreth konstituimit të seancës e cila mbahet më 15 prill, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve. /Tëvë1/