Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda e ka lënë të hapur ende mundësinë e një bashkëpunimi mes PDK-së dhe Nismës së Fatmir Limajt.
Ai ka thënë se përderisa afati ende është i hapur për dorëzim të listës mund të ketë diskutime, por siç ka thënë ai nuk e di nëse do të ketë bashkëpunim dhe së për këtë ai ka thënë se është përgjegjësi e kryetarit të partisë.
“Nuk e di nëse do të ndodh ky koalicion, kjo ka qenë ndër gjërat që është diskutuar, mbetet kryetari Hamza me caktuar këtë çështje. Kemi edhe dy ditë kohë, por ajo çka po punojmë ne është ta përfundojmë listën tonë me sjell njerëz të ri që kemi shumë. Derisa ka afat është e mundur që të ketë një komunikim, unë nuk do ta përjashtoja plotësisht, pasi ka kohë, por nuk e di nëse do të ndodhë, mendoj se nuk është e definuar nga asnjëra palë. Përderisa është i hapur afati për dorëzimin e listës mund të ndodhë, nuk e di ndoshta”, ka thënë Gruda në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ndryshe, gjatë ditës anëtarja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka thënë se një bashkëpunim mes PDK dhe Nismës nuk do të ndodhë.
Gruda duke folur për situatën në Drenas dhe Ramiz Lladrovcin ka thënë se është çështje e mbyllur.
Ai ka thënë se PDK ka gjasa të mëdha të jetë fituese e zgjedhjeve.
“Më 9 shkurt VV-ja ka pas rënie prej 9% dhe ne jemi rritur për 5 deputetë. VV do të ketë rënie edhe më të madhe, dhe gjasat për me fitua PDK-ja, janë të mëdha sepse ka plot grupe që janë bashkuar dhe njerëz të rinj që kanë ardhur. Dhe këto 9 muaj bllokadë, qytetarët e Kosovës nuk do t’ia falin LVV-së”, u shpreh Gruda.
Ai tha se PDK synon me i fituar zgjedhjet dhe me formuar qeverinë me partitë opozitare.






