Ajo ka thënë se planin vet personalisht nuk e ka parë, por që kryeministri e ka ndarë me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi.
E ky plan sipas saj nuk është refuzuar as nga pala kosovare as nga ajo serbe, të dyjat e kanë pranuar.
“Ne po besojm që plani që unë personalisht nuk e kamë parë, po që e ka ndarë [kryeministri] me kryetarin e PDK-së, z.Memli Krasniqi. Unë e di që edhe nga pala kosovare dhe nga ajo serbe është pranuar, nuk është refuzuar nga Beogradi. Është pranuar si një fazë për të vazhduar diskutime me tutje”, ka thënë Çitaku në emisionin “Personale” te Krenare Vokshi në RTV Dukagjini.
Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë publikisht që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë njohjen reciproke, e që sipas saj këtë e kanë thënë edhe dy ish-presidentët amerikanë.
“ShBA-të që të jem më e hapur kanë thënë publikisht që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet që të ketë njohjen reciproke ne qendër. Dhe kjo është thënë edhe në mënyrë të shkruar dhe zyrtare nga vetë Shtëpia e Bardhë, nga dy ish-presidentët amerikanë”, ka shtuar ajo.
Ajo theksoi se nuk preokupohet shumë se çfarë deklaron Beogradi, e që më e rëndësishmja është që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e qartë.
“Unë nuk preokupohem fort me atë çfarë është thënë në Beograd, më e rëndësishmja është që marrëveshja të jetë e qartë. Nuk duhet të ketë dykuptimësi. Duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër”, ka shtuar ajo.