Shkruan: Afrim Kasolli
Në një mënyrë të befasishme dhe të papritur dje në një konferencë për media, kryetari i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e njoftoi bazën, strukturat partiake, si dhe opinionin e gjerë se ka vendosur ta dorëzojë stafetën e drejtimit të partisë. Një akt i tillë u vlerësua në masë të madhe si një sakrificë politike e tij, shembull i duhur i një politikani të përgjegjshëm që është në gjendje të hap rrugë për të tjerët nëse kjo konsiderohet si interes madhor i partisë.
Personalisht, nuk mund të kem një qëndrim tjetër nga ai që kam mbrojtur publikisht deri më tani për punën e kryetarit të PDK-së dhe të grupit të tij të ngushtë politik. Në vend të kurorave të lavdisë, rrëfimi i plotë mbi këtë dorëheqje do të duhej t’i adresonte disa nga dështimet e deri tanishme që e kanë karakterizuar këtë parti gjatë mandatit të Memli Krasniqit. Thuhet se ai ia arriti të mirëmbajë unitetin e partisë. Absolutisht kjo është e paqëndrueshme, sepse në këtë fazë ky subjekt e ka njohur përçarjen më të madhe politike, duke ndikuar që ta humb nominalisht gjysmën e Drenicës. Prandaj ka shumë enigma se a i ishte ky bilanc pasojë veprimeve të tij autonome politike, apo i njëjti ishte e kushtëzuar ta bënte një gjë të tillë?
Për më shumë, Memli Krasniqi u dorëzua në kohën kur para PDK –së shtrohet nevoja e betejës së saj vendimtare politike, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të parlamentare që po imponohen si të pashmangshme, por për shkak të dyshimeve që janë ngritur lidhur me manipulimet e mundshme zgjedhore në qytetin e Mitrovicës. Dhe është gabim që kjo kauzë të adresohet vetëm juridikisht. Në të vërtetë Memli Krasniqi duhej që në këtë fazë t’i printe një mobilizimi të madh politik në funksion të mbrojtës së demokracisë, që siç po pohon ky subjekt se është lënduar në qytetin e Mitrovicës.
Sidoqoftë, se çfarë karakteri ka kjo dorëheqje do të mbetet të shihet në një të ardhme jo të largët. A u bë kjo me qëllim që të çlirohen potencialet e kësaj partie, apo ajo nuk ishte asgjë tjetër, pos një sakrificë personale për ta ruajtur forcën e grupit që ai i ka takuar brenda PDK-së. Për shkak të dështimit elektoral në dy palë zgjedhje, filloi të shtohet zemërimi brenda partisë kundër Memlit dhe atij që njihet si klani Bon Vivant. Vazhdimi i kësaj amullie kishte rrezik ta diskreditonte atë kolektivisht. Prandaj, ai u tërhoq që të mirëmbahet ky i fundit.
Për fund, i njëjti pohon se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike e Kosovës i fitoi zgjedhjet lokale. Dhe nëse ai vërtetë e ka këtë bindje dhe ia donë të mirën partisë, atëherë, i njëjti për hir të saj do të duhej ta drejtonte atë për të korrur suksesin e ardhshëm politik me qëllim që të konfirmohet PDK si forca e parë politike në vend, ashtu siç ia doli sipas Memli Krasniqit, ta siguroi këtë status në zgjedhjet që sapo përfunduan.






