Prokuroria e Specializuar në Hagë është përpjekur të distancohet nga skandali me deklaratat e rreme të Halit Sahitajt kundër krerëve të UÇK-së, një histori kjo e zbuluar në dokumetarin “Manipulimi Special”, transmetuar në Opinon/TV Klan dhe Albanian Post-Tiranë.
Në një përgjigje të saj për ekipet mbrojtëse, Halit Sahitajn e ka quajtur “fantazist”, e për Faik Imerin ka mohuar të jetë “ndërmjetësues”, ndonëse asnjërit nuk u referohet me emra, por që nga hulumtimi në këtë dokumentar bëhet e qartë se për kë bëhet fjalë.
Prokuroria e Specializuar ka thënë se këta dy individë nuk janë dëshmitarë në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
“Avokatët e Veselit dhe Thaçit e ndërtojnë argumentin e tyre në bazë të informacioneve të dy individëve që nuk janë dëshmitarë në këtë rast: (i) (REDAKTUAR), i cili ka bërë akuza të ndryshme me fantazi, tani ka pretenduar përfshirjen e (REDAKTUAR), dhe informacionet e të cilit nuk janë të mbështetura në asgjë në lidhje me këtë rast; dhe (ii) (REDAKTUAR), i cili, nganjëherë, ka dhënë vullnetarisht informacion në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por që nuk është, në kundërshtim me spekulimet e Mbrojtjes, një ndërmjetësues i udhëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në një shkresë të Prokurorisë së Specializuar, të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Por, a u mbështet ish Prokurori Jack Smith në dëshminë e rreme të Halit Sahitajt, ashtu siç dyshojnë ekipet mbrojtëse, kur në takim me Ambasadorët e BE-së kishte shprehur bindjen e tij se krerët e veteranëve kishin vepruar në koordinim me Thaçin dhe Veselin?
Prokuroria e Specializuar thotë – jo.
“Intervista e (REDAKTUAR), (REDAKTUAR) nuk është përdorur kundër Thaçit, Veselit apo ndonjë të akuzuari tjetër. Rrjedhimisht, nëse ato prova janë fabrikuar apo jo, është e parëndësishme për çdo çështje që do të trajtohet në këtë rast. Duke e ditur këtë, Thaçi dhe Veseli edhe një herë tentojnë të përdorin pa sinqeritet tymin e takimit të Prokurorit të Specializuar dhe Presidentes me diplomatët më 7 dhjetor 2020, pa u përpjekur as të shpjegojnë rëndësinë e tij me këtë rast”, thuhet në një shkresë të Prokurorisë së Specializuar.
Por, ky dokument, që përmbledh shënime nga takimi me diplomatë, zbulon të kundërtën.
Citimet e Jack Smith – i cili në këtë dokument përshkruhet si i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në prezantimin e tij – ngrenë dyshime të forta se Prokuroria e Specializuar i kishte deklaratat e Sahitajt si kartë në dorë – në qëllimin e saj për t’i mbajtur në paraburgim Thaçin dhe Veselin.
“Ai (Jack Smith) tha se Gucati dhe Haradinaj kanë qenë pjesë e një operacioni të vazhdueshëm për frikësimin e dëshmitarëve dhe se është i bindur se edhe Gucati edhe Haradinaj kanë vepruar në koordinim me Thaçin dhe Veselin, dhe është duke hetuar nëse mund të vërtetohet ndonjë lidhje, edhe pse tha se mjedisi në Kosovë është i vështirë për të kryer hetimet”, thuhet në procesverbalin nga takimi me Ambasadorët e BE-së, më 8 dhjetor 2020.