Kompromisi që duhet të bëjë Kosova për ta lëvizur përpara dialogun me Serbinë është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thonë njohës të zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Ata thonë se në këtë mënyrë duhet kuptuar edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës, për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, “duhet të bëjë kompromise”.
Autoritetet e Kosovës këmbëngulin se rezultat përfundimtar i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duhet të jetë njohja reciproke, por nga Qeveria nuk e kanë komentuar deklaratën e diplomatit amerikan.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ligjërues i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se udhëheqësit e Kosovës duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme secilit qëndrim të Escobarit.
Sipas tij, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, priten kompromise, por jo të tilla që e prekin statusin e shtetit sovran.
“Ato mund të nënkuptojnë realizimin praktik të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo ndonjë element tjetër, i cili, në asnjë mënyrë, nuk e cenon shtetësinë e Kosovës. Është bërë e qartë që as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së nuk u konvenon një Republikë Sërpska e dytë në Kosovë dhe kjo është larguar nga agjenda”, thotë Muhaxhiri, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë që njihet si Republika Sërpska.
Por, shton Muhaxhiri, “është e pritshme dhe e logjikshme që për një kompromis të madh të Serbisë – që është pranimi në ndonjë formë i shtetësisë së Kosovës – edhe Kosova të bëjë ndonjë lëvizje pragmatike”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
Serbia, në anën tjetër, këmbëngul në formimin e tij.
Politologu serb, Ognjen Gogiq, i cili vjen nga Mitrovica e Veriut, thotë se e sheh me rezerva deklaratën e Escobarit.
Sipas tij, kjo deklaratë nuk është në harmoni me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve amerikanë, se qëllim idialogut është njohja e Kosovës nga Serbia dhe se në këtë pikë nuk ka hapësirë për kompromis.
Gogiq thotë se deklarata e Escobarit më shumë ka të bëjë me përmbajtjen e bisedimeve që ai ka zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.
Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi në fillim të këtij muaji.
“Në fakt, ata sollën porosinë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen. Porosia e tyre në Prishtinë ishte që Prishtina t’i zbatojë të gjitha ato që i ka marrë obligim, në mënyrë që më pas Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja të mund të bëjnë presion mbi Serbinë që ta njohë Kosovën”.
“Ata e kanë të qartë se, përderisa Prishtina nuk i zbaton të gjitha obligimet e veta, në mesin e të cilave është edheformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Beogradi gjithmonë do ta ketë arsyetimin se pse nuk e njeh Kosovën dhe pse nuk hyn në marrëveshjen përfundimtare”, thotë Gogiq.
Pavarësisht se Escobar ka deklaruar se Kosova duhet të bëjë kompromise për të arritur njohjen reciproke me Serbinë, çështja e kompromisit nuk përmendet në mesazhet e fundit të zyrtarëve më të lartë amerikanë, presidentit Joe Biden dhe sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar Kosovës me rastin e shënimit të 14-vjetorit të pavarësisë së saj, më 17 shkurt.
Ata kanë bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas Muhaxhirit, presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, është rritur.
Ai thotë se Escobar, i cili ka marrë pozitën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në shtator të vitit 2021, ka sjellë energji të re dhe të madhe në raport me dinamikën e dialogut.
Muhaxhiri shpreh mendimin se Escobar e ka një plan lidhur me dialogun dhe se ai i artikulon idetë e Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me këtë proces.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk guxon të hasë në indiferencë nga ana e lidershipit kosovar, por duhet të ketë mobilizim të madh të të gjitha potencialeve, të brendshme dhe të jashtme, institucionale dhe jashtë-institucionale, në mënyrë që Kosova të jetë kreative në ofrimin e alternativave, të cilat janë të pranueshme për aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe për Serbinë, por që nuk e dëmtojnë substancën e shtetësisë së Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Ai thotë se Escobar, i cili ka marrë pozitën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në shtator të vitit 2021, ka sjellë energji të re dhe të madhe në raport me dinamikën e dialogut.
Muhaxhiri shpreh mendimin se Escobar e ka një plan lidhur me dialogun dhe se ai i artikulon idetë e Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me këtë proces.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk guxon të hasë në indiferencë nga ana e lidershipit kosovar, por duhet të ketë mobilizim të madh të të gjitha potencialeve, të brendshme dhe të jashtme, institucionale dhe jashtë-institucionale, në mënyrë që Kosova të jetë kreative në ofrimin e alternativave, të cilat janë të pranueshme për aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe për Serbinë, por që nuk e dëmtojnë substancën e shtetësisë së Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Formimin e Asociacionit, thotë Gogiq, Kosova e ka marrë obligim duke e ratifikuar marrëveshjen për të edhe në Kuvendin e saj.
Ai thotë se Serbisë i konvenon që Kosova të mos e formojë Asociacionin, sepse kjo i shërben si shkas që të mos e vazhdojë dialogun.
“Unë mendoj që mosformimi i Asociacionit është vetëm justifikim dhe Serbia dëshiron që Asociacioni të mos formohet dhe në këtë mënyrë të ruhet status quo-ja. Mendoj që ajo çfarë nënkuptohet me kompromisin, është formimi i Asociacionit”, thotë Gogiq.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a ia kanë bërë të qartë zyrtarët amerikanë se çfarë nënkupton kompromisi, të cilin e përmend Escobar, si dhe a është e gatshme Qeveria të ofrojë ndonjë formë të kompromisit për njohje të ndërsjellë me Serbinë, por, deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria nuk është përgjigjur.