28.4 C
New York
Tuesday, August 5, 2025

Buy now

“A është qëllimi të krijohet një bllokadë?”: Kritikohet arsyetimi i Osmanit rreth tërheqjes së lëndës nga Kushtetuesja

- Advertisement -

Vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të tërhequr kërkesën nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka shkaktuar valë reagimesh nga ekspertët ligjorë dhe analistët politikë. Në një konferencë për media sot, Presidentja Osmani njoftoi tërheqjen e kërkesës duke argumentuar se caktimi i gjyqtarit Radomir Llaban si raportues paraqet “rrezik nacional” për Kosovën.

Megjithatë, reagimet e ekspertëve kanë vënë në dyshim motivet dhe kohën e këtij vendimi, si dhe pasojat e mundshme për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thekso se, ndërsa është e legjitim të ketë rezerva ndaj figurave individuale, mungesa e kallëzimeve penale ndaj tij, e bënë të vështirë një arsyetim të tillë “për rast me rëndësi thelbësore kushtetuese.”

“Nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal (gjyqtarët s’kanë imunitet jashtë fushëveprimit të tyre), atëherë është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese.” – shkroi ai.

Ai gjithashtu sqaroi se gjyqtari raportues nuk është ai që vendos për fatin e kërkesës dhe se vendimmarrja në Gjykatë bëhet me shumicë votash.

“E vërteta është që gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit. Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës. Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë – si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër.” – shtoi ai.

Vullnet Bugaqku IKD paralajmëroi në anën tjetër se në rast se gjyqtari Radomir Laban, i përmendur nga Presidentja si rrezik për sigurinë kombëtare, jep dorëheqje ose shkarkohet, Gjykata Kushtetuese do të mbetej me vetëm gjashtë gjyqtarë aktivë.

“Në rast se gjyqtari Radomir Laban sot jep dorëheqje ose shkarkohet nga funksioni, Gjykata Kushtetuese do të mbetej me vetëm gjashtë gjyqtarë aktivë. Një largim i tillë, në këtë fazë, do të sillte bllokim të funksionimit dhe ushtrimit normal të punës së Gjykatës Kushtetuese.” – tha ai.

Bugaqku paralajmëroi se largimi eventual i gjyqtarit Laban do ta bënte të pamundur vendimmarrjen për të gjitha çështjet e mbetura.

“Aktualisht, kjo gjykatë ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe çdo largim eventual i gjyqtarit Laban do ta bënte të pamundur vendimmarrjen për të gjitha çështjet e mbetura. Kjo, për shkak se, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kuorumi arrihet vetëm kur janë të pranishëm së paku shtatë nga nëntë gjyqtarët që e përbëjnë këtë gjykatë. Në këtë rrethanë shtrohet pyetja: pse pikërisht tani Presidentja vendosi të denigrojë integritetin e tij? A është qëllimi të krijohet një bllokadë edhe në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të pamundësuar çdo shqyrtim kushtetues të veprimeve të Qeverisë në detyrë dhe të vetë Presidentes?”

Analisti Imer Mushkolaj ngriti gjithashtu një sërë pyetjesh lidhur me kohën dhe mënyrën e reagimit të Presidentes, duke vënë në pikëpyetje konsistencën dhe përgjegjësinë institucionale të saj dhe të autoriteteve shtetërore.

Sipas tij, nëse gjyqtari serb vërtet cenon sigurinë kombëtare, atëherë “përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite.”

“A ka paraqitur dhe a paraqet rrezik kombëtar gjyqtari serb i Kushtetueses? Nëse po, çfarë kanë bërë institucionet, presidentja për ta larguar atë? Nëse nuk kanë bërë asgjë, atëherë kanë përgjegjësi. Nëse gjyqtari serb cenon sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite. Pse presidentja nuk reagonte kur ai caktohej gjyqtar raportues për raste të tjera, por vetëm tash për kërkesën e saj? Pasojat e kësaj qasjeje të presidentes do të kuptohen më vonë. Pasoja negative, fatkeqësisht.” – tha ai.

Të ngjashme

Të fundit