Për shumë njerëz, dita nuk nis pa një filxhan kafe të ngrohtë, edhe kur temperaturat jashtë janë përvëluese.
Por a është e shëndetshme të konsumosh kafe në ditët e nxehta të verës?
Sipas ekspertëve të ushqimit dhe disa studimeve të fundit, pirja e kafesë me masë nuk përbën rrezik për shëndetin as gjatë motit të nxehtë.
Miti i përhapur se kafeja shkakton dehidratim është hedhur poshtë, për sa kohë që shoqërohet me konsum të mjaftueshëm uji.
Përfitimet e kafesë në verë
Kafeja ofron një sërë përfitimesh edhe në stinën e verës. Ajo ndihmon në rritjen e energjisë, përmirësimin e humorit dhe përqendrimit, falë përmbajtjes së kafeinës që stimulon sistemin nervor.
Po ashtu, mbetet një ritual social i rëndësishëm, që nxit bashkëbisedimet dhe afrimin me të tjerët.
Në ditët me temperatura të larta, shumë njerëz zgjedhin alternativa si kafeja e ftohtë, iced latte apo frappuccino, që sjellin freski dhe shije të ndryshme.
Krahas këtyre, kafeja është një burim i mirë antioksidantësh që mbrojnë qelizat nga dëmtimet dhe mund të ndihmojë në parandalimin e disa sëmundjeve kronike, përfshirë diabetin, sëmundjet e zemrës dhe ato neurodegjenerative si Parkinsoni dhe Alzheimeri.
Disavantazhet e mundshme
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për disa kujdesje të nevojshme. Efekti i saj diuretik mund të çojë në humbje lëngjesh, çka e bën të rëndësishme marrjen e sasive të mjaftueshme të ujit gjatë ditës.
Gjithashtu, kafeja e ngrohtë mund të rrisë ndjesinë e nxehtësisë në trup, ndaj rekomandohet të zgjidhen variante të ftohta në temperatura ekstreme.